Projekti A-WELL është pranuar nga Agjencia Erasmus.
21 Gusht, 2023 2023-09-20 17:16Projekti A-WELL është pranuar nga Agjencia Erasmus.
Kemi kënaqësinë të ju njoftojmë se projekti A-WELL (Developing an Erasmus Mundus Joint Master in Healthy Ageing Across the Lifespan), është pranuar nga Agjencia Erasmus. Ky projekt vie si rezultat i tri viteve punë intenzive në projektin paraprak SIENHA (Strategic Innovative Educational Network for Healthy Ageing).
Kjo është një arritje e rëndësishme për konsorciumin, i cili përbëhet nga shtatë institucione të arsimit të lartë në Evropë, duke përfshirë Kolegjin Heimerer në Kosovë, Universitetin Ramon Llull në Spanjë, Universitetin Nicolaus Copernicus në Poloni, ESSA – Santa Casa Da Misericordia De Lisboa në Portugali, Stichting Hogeschool Utrecht në Holandë, Hochschule Für Gesundheit në Gjermani dhe Universitetin e Shkencave të Aplikuara JAMK në Finlandë.
Si një nga institucionet partnere të arsimit të lartë në konsorcium, Kolegji Heimerer do të luajë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e këtij programi. Ekspertiza dhe njohuritë të cilat i sjell në konzorcium kolegji në promovimin e mirëqenies së popullatës në një mënyrë inovative dhe përmes qasjes ndërprofesionale është një vlerë e shtuar në zhvillimin e programit Master Evropian në Moshimin e Shëndetshëm.
Projekti A-WELL ka disa synime dhe objektiva specifike, të cilat përfshijnë analizimin e programeve ekzistuese master për edukimin profesional në moshimin e shëndetshëm në mbarë botën, përcaktimin e nevojave të shoqërisë dhe tregut të punës, zhvillimin e strukturës dhe përmbajtjes së kurrikulës së ardhshme, përzgjedhjen dhe integrimin e metodologjive më të mira për mësimdhënien dhe të nxënit, duke integruar modele të bazuara në dëshmi për monitorimin dhe vlerësimin e procesit të të mësuarit, zhvillimin e një agjende kërkimore mbi moshimin e shëndetshëm, përcaktimin e kërkesave dhe strukturës së një platforme të përbashkët të mësimit virtual dhe sigurimin e qëndrueshmërisë dhe cilësisë së masterit të ardhshëm.
Jemi krenarë që jemi pjesë e projektit A-WELL dhe presim me padurim të kontribuojmë në zhvillimin e këtij programi të ri dhe inovativ.