Rektorati

NAIME BRAJSHORI

Rektore në Kolegji Heimerer

Prof. Ass. Dr. Naime Brajshori është rektore e Kolegjit Heimerer në Prishtinë që nga viti 2020. Më parë, nga viti 2010 deri në vitin 2020, ka mbajtur rolin e dekanes së programit të Infermierisë dhe zëvendës-drejtoreshës së Kolegjit Heimerer. Znj. Dr. Brajshori është e doktoruara e parë në Shkenca Shëndetësore dhe Infermieri në Kosovë, e cila ka përfunduar doktoraturën në Universitetin Martin Luther, Halle-Wittenberg, Gjermani. E dalluar gjatë studimeve master 2008-2010 në Gjermani, ka qenë edhe bashkëpunëtore-hulumtuese në Fakultetin e Mjekësisë, Institutin e Shëndetësisë dhe Shkencave të Infermierisë për zbatimin e projekteve DAAD me titull: “Rindërtimi Akademik në Evropën Juglindore” nga Universiteti Martin Luther Halle-Ëittenberg.

Puna dhe interesat e saj kërkimore janë të përqendruara në promovimin e një kulture të sigurisë së pacientëve dhe përmirësimin e sigurisë së pacientëve në spitale, promovimin e sigurisë në punë dhe ruajtjen e shëndetit të punëtorëve shëndetësor, si dhe kërkesat dhe nevojat e tregut të punës për profesionistët shëndetësorë, zhvillimin e studimeve dhe profilizimin e programeve për infermierët. Që nga viti 2008 deri në vitin 2016 znj. Brajshori është angazhuar si ligjëruese në Departamentin e Infermierisë dhe Mamisë në Universitetin e Prishtinës dhe ka qenë koordinatore e Projektit Tempus "Insteap", i cili ka krijuar programin studimor Master Shkencor "Edukimi në Kujdesin Shëndetësor" në Fakultetin e Mjekësisë, Universitetin e Prishtinës, i cili është i akredituar që nga viti 2014. Znj. Dr. Naime Brajshori është gjithashtu koordinatore në Institutin e Evropës Juglindore për Shëndetësi dhe Politika Sociale, i themeluar me mbështetjen e DAAD dhe një nga themeluesit e institutit. Ajo punon me një rrjet multidisiplinor të profesionistëve shëndetësor dhe profesionistëve të tjerë të shkencave sociale, të cilët kanë përvojë të gjerë në menaxhimin e sigurimit të cilësisë së kujdesit shëndetësor dhe shërbimeve të këshillimit arsimor në Kosovë.

Ajo është gjithashtu organizatore e shumë projekteve kombëtare dhe ndërkombëtare dhe autore e shumë artikujve shkencorë, si dhe koordinatore e simpoziumeve shkencore ndërkombëtare, konferencave dhe eksperte për projekte të ndryshme shëndetësore.
stafi
adnan hoxha

Prorektor për bashkëpunim ndërkombëtar në Kolegji Heimerer

Z. Adnan Hoxha vepron si Prorektor për Projekte dhe Bashkëpunime Ndërkombëtare. Ai është kandidat për doktoratë në Ekonomi, drejtimi i Ndërmarrësisë. Më parë ka përfunduar studimet master në Shkencat e Biznesit dhe Ekonomisë në SKEMA Business School, Sofia Antipolis, Francë, si studiues i Programit "Young Cell" të Komisionit Evropian dhe Qeverisë së Kosovës, dhe studimet bachelor me drejtim kryesor në Ekonomi dhe Menaxhim, dhe specializim në Politika Publike në Institutin e Teknologjisë në Rochester (RIT), NY, SHBA. Z. Hoxha ka një përvojë të gjerë profesionale në menaxhimin e projekteve dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, të fituar gjatë punës për institucione të ndryshme qeveritare, joqeveritare dhe të arsimit të lartë vendor dhe ndërkombëtar, me fokus në inovacion, menaxhim shëndetësor, tregti ndërkombëtare dhe zhvillim të sektorit privat.

Interesat kryesore kërkimore të z. Hoxha janë inovacioni, zhvillimi organizativ, ekonomia shëndetësore, menaxhimi i ndryshimit dhe tregtia ndërkombëtare. Ai është autor i disa punimeve shkencore dhe artikujve mbi makro-ekonominë, menaxhimin shëndetësor dhe disa hulumtimeve te vazhdueshme mbi dinamikat e performancës së inovacionit të firmave private.
STAFI
rina halilaj

Sekretare e përgjithshme në Kolegji Heimerer

Rina Halilaj është juriste e diplomuar në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku aktualisht vijon edhe studimet postdiplomike. Për një periudhë katër vjeçare, Rina ka ofruar kontributin e saj në Odën e Profesionistëve Shëndetësor, me fokus Odën e Mjekëve të Kosovës, ku ka ofruar shërbimet ligjore në fushën e mbikëqyrjes etiko-profesionale të mjekëve. Ndërkaq, në cilësinë e Sekretares së Përgjithshme të Kolegjit Heimerer, Rina do të bëjë udhëheqjen e proceseve për çështjet profesionale, administrative, dhe teknike nga ana e komponentës ligjore dhe administrative.
STAFI
hidajete beqiri gllareva

Prorektore për financa në Kolegji Heimerer

MSc. Hidajete Beqiri Gllareva është ekonomiste e diplomuar dhe mban pozitën e prorektores për financa në Kolegjin Heimerer që nga qershori i vitit 2021. Studimet bazike i përfundoi në Fakultetin Ekonomik në Universitetin “Hasan Prishtina” në Prishtinë. Në vitin 2016 mbaroi studimet në nivelin master shkencor në Financa dhe Kontabilitet Ndërkombëtar. Znj. Beqiri Gllareva ka ushtruar rolin e auditores së brendshme për 16 vite në sektorin publik në nivel të qeverisjes lokale. Në 2010 u certifikua nga Ministria e Financave si “Auditore e certifikuar dhe licencuar në sektorin publik”. Që nga themelimi i Kolegjit Heimerer në 2010 ka menaxhuar departamentin e financave. Znj. Beqiri – Gllareva për më shumë se 22 vite ka përvojë në menaxhimin e financave në projekte të ndryshme ndërkombëtare të mbështetura nga organizatat dhe donatorët e ndryshëm sic janë: Erasmus Plus, Tempus, FES, GIZ, Ministria e Arsimit dhe Shkencës në Gjermani, RCF, Caritas-i Zviceran etj.
STAFI