Shkresë mirëseardhjeje nga Rektorja Prof. Ass. Dr. Naime Brajshori

Të dashur studentë të rinj të programeve Bachelor dhe Master në Shkencat Shëndetësore të
Kolegjit Heimerer, ju ftojmë të filloni udhëtimin tuaj në studimet e nivelit universitar duke lexuar këtë letër
mirëseardhjeje me përshëndetjet e Rektores për gjeneratën 2020/21.

Përshëndetje dhe shkresë mirëseardhje nga Rektorja
Prof. Ass. Dr. Naime Brajshori

URIME!

Të dashur studentë, ju përgëzoj për vendimin e shkëlqyeshëm që keni bërë duke zgjedhur Kolegjin Heimerer për të filluar një fazë tejet ngazëlluese të jetës suaj. Ndjehem e nderuar të ju uroj mirëseardhje në botën tonë akademike.

Ne festojmë me ju fillimin e vitit të 11-të akademik, festojmë për arritjet akademike dhe përpjekjet e jashtëzakonshme për të qenë institucioni arsimor që jemi sot. Ju tani shumë shpejt do të zbuloni vetë se përse ne jemi: Institucion unik në shëndetësi dhe arsim në Evropën Juglindore.

Gjatë studimeve ju do të njiheni dhe bashkëpunoni me një staf akademik profesional dhe elitar, simbiozën me stafin administrativ dhe shërbimet cilësore, shërbime mbështetëse të personalizuara, mundësi unike për eksperienca në hulumtime bashkëkohore  e bashkëpunime ndërkombëtare.

Prandaj, në këtë kohë të jashtëzakonshme, Kolegji Heimerer  ngrohtësisht ka hapur dyert për të gjithë studentët e programeve të studimeve në nivelin Bachelor dhe Master të Shkencave Shëndetësore Terapeutike, Infermierore, Diagnostike, Shëndetësore Pedagogjike, Menaxhim Shëndetësor dhe Psikologji Klinike.

Situata e jashtëzakonshme në botë tani edhe njëherë tregon se hulumtimi shkencor është më i rëndësishëm se kurrë. Qëllimi ynë është gjithashtu që njohuritë dhe shkathtësitë që përfitoni në Kolegj të kontribuojnë në gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për sfidat vendore dhe ato globale, të tilla si kjo e pandemisë Covid-19.

Andaj nga sot, filloni dhe mendoni për rolin tuaj shumë të rëndësishëm në shoqëri!

Dituria dhe transferimi i njohurive është më e rëndësishme se kurrë. Gjatë studimeve ju do të mësoni të gjeni pafundësisht burime të marrjes se njohurive të cilat janë domosdoshmëri për trendet bashkëkohore.

Liria dhe autonomia akademike është themeli i çdo universiteti dhe vetë ideja e një universiteti.

Për t’u dëgjuar dhe për të bërë një ndryshim, ne duhet të jemi të hapur ndaj botës së jashtme. Përkrah jush ne do të përpiqemi të sigurojmë këtë kulturë të hapur të komunikimit, të mësimit, të pranimit dhe ndërveprimit në kolegjin tonë dhe me gjerë. Ne duhet të krijojmë një botë më të mirë përmes njohurive dhe – mundësisht përmes – mirësisë, tolerancës dhe besimit. Këto janë vepra mbi të cilat duhet të ndërtohet një rend i qëndrueshëm shoqëror. Kolegji Heimerer ofron kushte tejet moderne për të zënë mësim teorik dhe praktik me metodat më bashkëkohore të të nxënit. Laboratorët e punës praktike, institucionet partnere, mësimdhënësit dhe mjetet e punës ju mundësojnë të bëheni profesionistë të gatshëm për tregun e punës në vend, rajon, shtetet e Bashkimit Evropian dhe më gjerë.

 

Pavarësisht nga rrethanat e jashtëzakonshme në të gjithë botën, uroj që ju të ndiheni entuziast për studimet tuaja të ardhshme, por gjithashtu ju rekomandoj që të ndani kohë për t’u rritur dhe kompletuar si një qenie njerëzore, fillimisht të zhvilloni empatinë e të punoni me vullnet për njerëzit, të lulëzoni si profesionistë shëndetësor të mirëkualifikuar dhe të bëheni shembull i qytetarëve të ndërgjegjshëm. Mundësitë e angazhimeve jashtëkurrikulare janë një pjesë e rëndësishme e përvojës suaj gjatë studimeve. Përfitoni nga organizimet e shumta studentore dhe ndani kohë për hobi dhe miq. Sigurohuni që të ekuilibroni studimet tuaja, pasi që përballja juaj me kërkesat e studimeve varet nga koha që ja lejoni vetes për tu çlodhur nga periudhat intenzive të studimit. Me fjalë të tjera, studimi duhet të përfshijë gjithashtu jetë shoqërore të lumtur dhe rrjetëzim.

Studentët tanë kanë një kulturë të mirë të të punuarit së bashku për detyrat e vetëstudimit. Ata janë në gjendje të ndihmojnë njëri-tjetrin ose të bëjnë pyetje nëse diçka mbetet e paqartë në shpjegim. Për çfarëdo që keni nevojë apo interesoheni pyetni, QESH (Qendra e Studenteve Heimerer) dhe do të ju ofrojnë përgjigje shpejtë, saktë dhe drejtë!

Ndërsa për çështje të tjera studentore qëndroni në kontakt të ngushë me Këshillin e Studentëve. Bëhuni pjesë aktive e organizimeve studentore.

Kurse në këshillin akademik të kolegjit zëri i studentëve dëgjohet çdoherë përmes përfaqësuesve nga radhët e studentëve të cilët angazhohen që t’u lehtësojnë juve jetën studentore.

Ne gjithmonë do të jemi këtu për ju – posaçërisht gjatë këtyre kohërave të jashtëzakonshme – ne jemi këtu për t’ju dhënë një dorë dhe vesh kur është e nevojshme, por ju inkurajojmë të gjeni mënyrën që të bëheni autonom, të gjeni botën tuaj dhe t’a bëni jetën ashtu si ju pëlqen gjatë dhe pas studimeve.

Duke shpresuar t’u takoj së shpejti personalisht në hapësirat e kampusit tonë, ju dëshiroj mirëqenje, siguri dhe uroj të mbeteni të shëndetshëm!

 

Me respekt,

Prof. Ass. Dr. Naime Brajshori

Rektore e Kolegjit