PIK

Programi Internacional për Karrierë është program i inicuar nga Kolegji Heimerer dhe partnerët e gjerman, me qëllim të ofrimit të arsimit cilësor, karrierës profesionale dhe punësimit ekskluziv për studentet që kanë studiuar ose që studiojnë Infermierinë.

Arritja e këtyre qëllimeve mundësohet përmes ofrimit të një programi komplementar studimor në fushën e infermierisë, praktikës profesionale me standarde evropiane, programe studimore të gjuhës gjermane dhe marrjes së licencës së punës në Kosovë dhe në Gjermani.

Ndryshimet e mëdha demografike në Evropë e kanë rritur nevojën për profesionistë shëndetësor, prandaj Kolegji Heimerer me partnerët nga Gjermania, sigurojnë personel të kualifikuar dhe profesional për klinikat gjermane të cilat më pas do të ofrojnë shërbime shëndetësore të cilësisë së lartë.

Që në fillim të programit, studentëve u garantohet  lidhja me punëdhënës ndërkombëtar dhe në partneritet me ta garantohet realizimi i suksesshëm i këtij programi.

Programi Internacional për Karrierë zgjatë prej vitit të parë të studimeve ku fillohet edhe kursi i nivelit A1 dhe vazhdon më pas me vitin e dytë me nivelin A2, A2 – Pflege (Moduli i gjuhës profesionale) e B1, si dhe me vitin e tretë, ku studentëve u mundësohet të kryejnë nivelin B1 – Pflege (gjuhën profesionale), nivelin B2 si dhe do të kenë qasje në praktikë, të cilën e ofrojnë partnerët tanë nga Gjermania. Brenda kësaj periudhe, programi do t’ju mbështetë dhe përgatitë të:

  • ndiqni kurset intensive të gjuhës gjermane deri në nivelin B2;
  • nënshtroheni testimit për secilin nivel gjuhësor;
  • mbani modulet shtesë profesionale në teori në fushën e infermierisë dhe kujdesit;
  • mbani modulet shtesë profesionale në praktikë në fushën e infermierisë dhe kujdesit;
  • përgatitetni për testet e gjuhës të cilat ofrohen nga institutet prestigjioze – Goethe apo ÖSD;
  • merrni licencën e punës në Kosovë dhe Gjermani;
  • merrni njohjen e diplomës në Gjermani;
  • nënshkruani kontratë pune me punëdhënësin gjerman;
  • ndiqni procedurat për aplikim për vizë pune në Gjermani;
  • përgatiteni për fillimin e punës dhe integrimin në shtetin gjerman.

Secili student që shpreh interesin të jetë pjesë e programit do të  njoftohet me punëdhënësit potencialë, ku në faza të caktuara të programit i ofrohet edhe mundësia e përzgjedhjes së punëdhënësit.

Me nënshkrimin e kontratës së parë të punës, studenti/i diplomuari (punëmarrësi) merr përsipër obligimin të mos e ndërrojë dhe mos e ndërpresë këtë kontratë pune brenda periudhës kohore 2 vjeçare. Pastaj, secili është i lirë të ri-negociojë kushtet dhe vazhdimin e  kontratës, ose të gjejë punëdhënës të ri.