Kolegji Heimerer pjesë e tryezës së rrumbullakët në Ghent, Belgjikë

Kolegji Heimerer pjesë e tryezës së rrumbullakët në Ghent, Belgjikë

Pas një pune intensive të përbashkët përgjatë pothuajse tri viteve të fundit, në kuadër të projektit “Zhvillimi i rehabilitimit social përmes edukimit”, të përkrahur nga Programi ERASMUS+, delegacioni i Kolegjit Heimerer mori pjesë në tryezën e rrumbullakët, ku u prezantuan rezultatet, sfidat dhe idetë për bashkëpunime të reja ndërkombëtare në këtë fushë dhe jo vetëm.

Kjo tryezë u organizua nga njëri prej partnerëve të këtij Konzorciumi, Universiteti Artevelde College Ghent në Ghent, Belgjikë. Gjatë kësaj punëtorie u vlerësua lartë angazhimi koordinues dhe zbatues i Kolegjit Heimerer në drejtim të zhvillimit të qasjes, metodologjive didaktike, materialeve mbështetëse për mësim-dhënie dhe trajnim të studentëve dhe stafit të përfshirë në rehabilitimin social, duke marrë për bazë modelet dhe praktikat më të suksesshme nga shtetet evropiane.

Përveç tjerash, u dakordua mes partnerëve që është esenciale të procedohet me të njëjtin intensitet të punës në zhvillimin e ideve plotësuese të këtij projekti, duke rritur kështu mundësinë për ndikim pozitiv dhe të qëndrueshëm në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të arsimimit dhe rehabilitimit në Kosovë.

Ky organizim i paraprin ngjarjes kryesore që do të organizohet në kuadër të këtij projekti, e që është Seminari Diseminues, që do të organizohet njëkohësisht me Simpoziumin e X-të të Kolegjit Heimerer nga data 12-14 shtator, 2019, në Prishtinë.