Kampusi

Kampusi i Kolegjit Heimerer gjendet në qytetin e Prishtinës – vetëm 3 km larg qendrës së qytetit. Kampusi është i dizajnuar që të përmbush nevojat akademike dhe personale të studentëve, stafit akademik dhe administrativ. Kolegji Heimerer shfrytëzon një ndërtesë me një hapësirë ​​prej 6000 m² me laboratore të reja me pajisjet më të reja që ofrojnë kushte adekuate për mësimdhënie dhe mësimnxënie. Përveç ligjëratave për programet tona të akredituara, kampusi ynë organizon një numër të madh konferencash kombëtare dhe rajonale, të cilat ofrojnë më shumë mundësi për studentët tanë që të rriten profesionalisht dhe personalisht edhe  jashtë ambientit të sallave mësimore.

Lokacioni urban i kampusit tonë i jep studentëve tanë qasje në shumë mundësi për përvojë praktike (si pjesë e kurrikulës) në biznese dhe organizata shëndetësore në Prishtinë. Ne synojmë t’u japim studentëve tanë eksperiencë në botën reale përmes praktikave dhe internshipeve të panumërta dhe mundësi punësimi në klinika dhe spitale të ndryshme.

Studentët e Kolegjit Heimerer mund të shijojnë jetën e gjallë të qytetit të Prishtinës. Studentët mund të eksplorojnë qytetin duke përdorur transportin publik dhe shumë restorante, bare dhe qendra tregtare.