Për nderë të 5 Dhjetorit – Ditës Ndërkombëtare të Vullnetarizmit, në ambientet e Kolegjit Heimerer u zhvillua Konferenca “Thuaj PO vullnetarizmit “

Për rëndësinë dhe strategjinë institucionale dhe për nxitjet e vullnetarizmit folën  Zv.Drejtoresha e KH, Znj. Naime Brajshori dhe Udhëheqësi i Qendrës për Arsim dhe Karrierë, Z.Nehat Mustafa, kurse Albin Pllana – kryetar i Këshillit Studentor tregoi për përkushtimin që kanë studentët për aktivitete vullnetare dhe hapësirën vepruese që e krijon kolegji për këto aktivitete.

Zv.Ambasadori i Repblikës së Shqipërisë në Kosovë, Z. Artur  Bushati, në fjalën e tij përshëndetëse falenderoi sfatin e Kolegjit Heimerer dhe mijëra e mijëra vullnetarëve të tjerë nga Republika e Kosovës për kontributin vullnetar  e profesional të ofruar në ndihmë të popullatës së goditur nga tërmeti.

“Dhembshuria është vlera më e çmuar që ka njeriu. Fuqia e dhembshurisë është e mrekullueshme; është më e fortë se sa mund ta mendoni, sepse ka të bëjë me imagjinimin e vuajtjeve të të tjerëve në një nivel më të thellë; një nivel shpirtëror që arrinë deri në maksimum. Dhembshuria është dashuria e përsosur, që njerëzit e veçant dinë  ta falin me një thjeshtësi gati-gati hyjnore.

Vullnetarët  dhe humanistët e vërtetë, qëndrojnë larg show-të, larg të dukshmes dhe reklamimit. Ata përulen para të varfërve, jo duke ju dhënë këpucë, por duke ua veshur vetë ato.

Vullnetarët  dhe humanistët e vërtetë  ndjehen të përmbushur jo duke paguar thjeshtë eurot nëpër fondacione që të dërgohen më shumë pako me ushqime, por udhëtojnë e udhëtojnë duke shkuar edhe deri në Kalkutën e largët për të gatuar vetë vaktet për ata që kanë nevojë dhe  duke i ushqyer me lugë derisa ata të rimëkëmben. Ata  u japin ujë për të pirë  nga dora e tyre; u japin ilaçet, derisa të shërohen: i lajnë dhe i veshin me  rrobat e tyre…

Vullnetarët dhe humanistët e vërtetë  asnjëherë nuk i kanë trajtuar të varfrit dhe ata që kanë nevojë për vullnetarizmin tonë  si njerëz që duhen mëshiruar, por si pjesëtarë të familjes që duhet ndarë gjithçka me ta, e  sidomos dashurinë! “

Ishte ky dedikimi për personazhin kryesor të kësaj konference Z. Fatos Mehmeti, një  ish luftëtar të UÇK-së, tanimë  një  afarist në Gjermani, i cili çdo vit kalon nga një muaj në Kalkutën e largët  duke shërbyer vullnetarisht dhe duke përmbushur misionin e misionares Nëna Terezë.

Fatos Mehmeti, para të pranishmëve foli për forcën e brendshme shpirtërore e cila e drejton në këtë mision human, duke kërkuar nga studentët që të tregojnë gadishmëri të përherëshme për vullnetarizmin, si vlerë e shtuar dhe patjetërsueshme e shoqërisë njerzore.

Në nderim të kontributit ndërkombëtar në fushën e vullnetarizmit, Kolegji Heimerer e  nderoi Z.Mehmeti  me Mirënjoihjen VULLNETAR I KARRIERËS.

Konferenca përfundoi me ndarjen e mirënjohjeve për ekipet e studentëve (me pjesëmarrjen e mbi 60 studentëve) të cilët për dhjetë ditë me radhe zhvilluan aktivitete vullnetare si pjese e konkursit “ Ndihmo e gëzo të tjerët, bëhu vullnetar“, kurse në emër të lauretavë falenderoi studenti Dukagjin Olluni.