Publikohet raporti në lidhje me Programet Shëndetësore të partive politike

Publikohet raporti në lidhje me Programet Shëndetësore të partive politike

Instituti i Evropës Juglindore për Politika Shëndetësore dhe Sociale në bashkëpunim me Friedrich-Ebert-Stiftung (FES)zyra në Prishtinë lansuan raportet në  lidhje me Programet Shëndetësore të partive politike.

Qëllimi i këtyre publikimeve është të vlerësoj ofertën e partive politike karshi një prej problemeve kyçe të sektorit shëndetësorë në Kosovë, pra implementimit të skemës së re të sigurimeve shëndetësore dhe funksionalizimit tw SHSKUK-sw. Interesi është që të kuptojmë planet konkrete të partive politike në lidhje me implementimin, e jo vetëm premtimin e përgjithshëm se implementimi i skemës së sigurimeve është prioritet i entitetit politik ose deklarata të ngjashme

Raporti i parë ka të bëjë me Propozimet për skemën e sigurimeve shëndetësore (Policy Brief 1 )

  • Si do ta realizojnë partitë politike skemën e sigurimeve shëndetësore?
  • Si do ta reduktojnë barrën financiare të shfrytëzimit për shërbime shëndetësore
  • masat e propozuara nga partitë politike?

Çështja e ri-organizimit të financimit të sistemit shëndetësor në Kosovë është çështje që diskutohet që nga viti 2000 dhe, përkundër disa tentimeve që të shtyhet përpara, një lëvizje më serioze drejt saj ka ndodhur vetëm gjatë vitit 2011-2014 kur është themeluar baza ligjore për një sistem të ri të financimit shëndetësor. Përkundër gjithë kësaj, akoma nuk ka pasur lëvizje konkrete në terren drejt implementimit të saj.. Me fjalë tjera, Kosova ende ka një sistem të buxhetit direkt të financimit shëndetësor të cilin e ka filluar nga paslufta.

Partitë politike shumë shpesh e kanë përdorur këtë teme në ofertat e tyre politike si dhe diskutimet publike. Por, partitë që kanë marrë pushtetin dhe kanë drejtuar sektorin e shëndetësisë nuk kanë arritur shumë në këtë drejtim.

Nevoja për një ri-organizim të financimit përmes skemës së sigurimeve shëndetësore ndërlidhet me shumat e vogla financiare që shpenzohen në shëndetësi, me mungesën e  ndarjes në mes të blerësit të shërbimeve dhe dhënësit të atyre shërbimeve si dhe me mos efikasitetin e sistemit aktual që të mbrojë qytetarin nga barra financiare e që kjo e fundit ka të bëjë me shfrytëzimin e shërbimeve shëndetësore si dhe me mungesën e shërbimeve bazike shëndetësore.

Konkludim:

Në përgjithësi, mund të thuhet se të tri blloqet kryesore politike e kane menduar çështjen e sigurimeve shëndetësore dhe implementimin e tyre si dhe kanë elemente origjinale në qasjen ndaj implementimit të skemës shëndetësore. Përgjithësisht, mbetet paksa i paqartë plani i tyre për të realizuar një gjë të tillë. Ekzistenca e një plani pak më të qartë na duket si parakusht për një realizim të këtij premtimi, pasi që shumë vite nuk ka pasur lëvizje serioze drejt realizimit konkret të kësaj skeme në terren.

Raporti i dytë ka të bëjë me Problemin me Shërbimin (Policy Brief 2 )

Spitalor dhe Klinikën Universitare të Kosovës (SHSKUK)

  • Krijimi i SHSKUK-së ka arritur të krijojë një lëmsh organizativ që rritë problemet e sektorit spitalor publik dhe dëmton efikasitetin e tij.
  • Si duhet të adresohen problemet e krijuara?
  • Cilët janë hapat konkretë?

Krijimi i Shërbimit Spitalor dhe Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) ka qenë një nga shtyllat e reformës së sistemit shëndetësor të promovuar nga Ministria e Shëndetësisë gjatë mandatit që ka përfunduar më 2014. Kjo shtyllë ka qenë disi e diskutueshme dhe kontradiktore me shtyllat tjera të reformës së kujdesit shëndetësor. Në parim, SHSKUK-ja ka pasur qëllim të integrojë sistemin e kujdesit shëndetësor përgjatë vijave profesoinale (për shembull Gjinekologji, Neonatologji, Kirurgji etj). Është bazuar në modelin e zhvilluar në një nga rajonet administrative në Suedi. Ky model synon riorganizimin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe spitaleve rajonale në një sistem të integruar. Edhepse në parim një ide shumë e mirë, ky nocion është zhvilluar pa një analizë të mirë të përfitimeve dhe efektetve që mund të ketë në sistemin shëndetësor. Procesi politik për zhvillimin e kësaj ideje nuk ishte aq pjesëmarrës, siç ishte rasti për shembull, me Ligjin për Sigurime Shëndetësore. Ministria ka bërë hapat e parë drejt zbatimit të konceptit por me ndryshimin e Qeverisë procesi ka mbetur i papërfunduar dhe nuk ka ecur më tutje.

Konkludimet:

Përderisa propozimet nga koalicioni i udhëhequr nga LDK-ja si dhe Lëvizja Vetëvendosje japin disa principe të përgjithshme sa i përket masave që do të ndërmarrin lidhur me riorganizimin e SHSKUK-së, koalicioni i udhëhequr nga PDK duket të ketë një vizion më të qartë për riorganizimin e sistemit spitalor publik që korrespondon me nevojat në terren.

Janë dy çështje themelore qe nuk janë komplet të specifikuara në programet politike e që janë qenësore ne ecjen përpara. Së pari, principi themelor është se SHSKUK-ja mund të mbetet një mundësi e mirë për të adresuar disa çështje kyçe në sistemin e kujdesit shëndetësor, por jo të jetë njësia udhëheqëse/administruese e sistemit publik spitalor në Kosovë. Pra, nuk ka nevojë të zhduket, SHSKUK-ja mund të jetë një mekanizëm për koordinim më të mirë të kujdesit shëndetësor, vlerësim të vazhdueshëm të performancës së institucioneve shëndetësore, fuqizim të standardeve të kujdesit, përkrahës në ndërtimin organizativ të spitaleve dhe ndihmës në procesin e planifikimit të burimeve njerëzore. Së dyti, kushdo që e marrin timonin për drejtimin e sektorit shëndetësor duhet të punojnë në rishikimin e të gjitha instrumenteve ligjore që definojnë sistemin aktual. Kjo mund të përfshijë  rishqyrtimin e ligjit të shëndetësisë, udhëzimit administrativ që rregullon punën e SHSKUK-së si dhe statutit e SHSKUK-së. Kjo do duhet të realizohet me një proces konsultativ që siguron një pjesëmarrje substanciale të të gjitha palëve relevante. Pas kësaj, duhet të definohet një plan afatmesëm për realizimin e masave ligjore dhe të realizohet tranzicioni i plotë pa i bërë edhe një shok të ri sistemit. Në këtë proces është esenciale që publiku, e në veçanti menaxhmenti i njësive spitalore dhe profesionistët shëndetësorë, të jenë mirë të informuar.

Reportazhi nga RTV 21 http://rtv21.tv/hulumtim-per-programet-shendetesore-te-partive-politike/

Shkrimin e plotë mund ta lexoni edhe në

http://gjirafa.com/Lajmet/Lajmi/8496719/Partite-politike-pa-plan-per-implementimin-e-sigurimeve-shendetesore?u=http%3a%2f%2fwww.ekonomiaonline.com%2fnacionale%2f137835%2f%3fpage_similar_news%3d3&query=Friedrich%20Ebert