Dita Ndërkombëtare e Infermierisë

Rreth Ditës Ndërkombëtare të Infermierisë

“Infermieria është ART, dhe nëse është e tillë kërkon një parapërgatitje serioze dhe përkushtim të jashtëzakonshëm…” (Florence Nightingale) – për të shënuar këtë ditë, stafi dhe studentët e Kolegjit Heimerer organizojnë kampanja informative rreth rolit të infermierisë duke ofruar shërbime infermierore falas nëpër qendrat kryesore të Kosovës. Përveç kësaj, çdo vit organizohet edhe nga një tryezë diskutimesh me temën e Ditës Ndërkombëtare të Infermierisë, që e cakton Këshilli Ndërkombëtar i Infermierisë (International Council of Nurses), në të cilën marrin pjesë të gjithë akterët relevant politikbërës, akterët profesionalë të fushës dhe profesionistët shëndetësorë.

 

Dita Ndërkombëtare e Infermierisë 2016

Infermierët: Forcë për Ndryshim – Përmirësimi i Reziliencës së Sistemeve Shëndetësore

Është viti i gjashtë me radhë ku Instituti i Evropës Juglindore për Avancimin e Shkencave Infermierore (IEJL-ASHI), së bashku me BPrAL qeap-heimerer, organizuan aktivitete të shumëllojshme për nder të Ditës Ndërkombëtare të Infermierisë, ku për një muaj rresht u organizuan shumë takime me nxënës, studentë, mësimdhënës, profesionistë të fushave të ndryshme për të promovuar rolin e infermierit bashkëkohor duke vazhduar me tryezën e datës 10 maj 2016 dhe për të përmbyllur muajin me shërbimet e ofruara për qytetarët në qendër të Prishtinës me 12 maj 2016.

Aktivitetet nëpër komuna

Duke u bazuar në këto fjalë shumë të dëshmuara të Florence Nightingale, Kolegji dhe IEJL-ASHI promovuan rolin e infermierit bashkëkohor për një muaj rresht në 19 komuna dhe në 44 shkolla, ku me profesionin e infermierisë u njoftuan mijëra nxënës dhe qytetarë të tjerë.

Tryeza e Diskutimeve

Të martën me 10 maj, në shenjë respekti për kontributin dhe punën e madhe që bëjnë profesionistët dhe stafi infermierorë në Kosovë dhe në të gjithë botën, qeap-heimerer dhe Instituti i Evropës Juglindore për Avancimin e Shkencave Infermierore organizuan një tryezë diskutimesh me akterët kryesorë të fushës së shëndetësisë, përfshirë Ministrin e Shëndetësisë z. Imet RRAHMANI, Kryetarin e Odës së Infermierëve z. Naser RRUSTEMIN, Drejtorin e Drejtorisë së Shëndetësisë të Komunës së Prishtinës z. Arben VITIA, profesorë, studentë dhe përfaqësues tjerë kontribuues për ngritjen e cilësisë së sistemeve shëndetësore.

Takimi u hap nga z.Petrit BEQIRI, Drejtor i Institutit të Evropës Juglindore për Avancimin e Shkencave Infermierore, i cili u uroi mirëseardhje të përzemërt të gjithë të pranishmëve. Ai theksoi rëndësinë e Ditës Ndërkombëtare të Infermierisë, që mbahet çdo vit si shenjë respekti për kontributin dhe punën e madhe direkte që bëjnë profesionistët dhe stafi infermierorë në Kosovë dhe në të gjithë botën 24 orë rresht, pa ndërprerje.  Tregoi që Instituti i Evropës Juglindore për Avancimin e Shkencave Infermierore, viteve të fundit së bashku me qeap-heimerer, tashmë prej vitit 2007 është i angazhuar plotësisht në avancimin e shkencave infermierore në Kosovë dhe në rajon.

Tema e Tryeza së Diskutimeve  “Përmirësimi i Reziliencës së Sistemeve Shëndetësore” nxiti diskutim të frytshëm duke nxjerrë disa përfundime bazë, që duhet ndikuar tek politik-bërësit dhe profesionistët e tjerë për të ngritur kompetencat dhe për të bërë sistemin shëndetësorë më rezilient.

Po, çfarë është rezilienca e sistemeve shëndetësore?

  1. Petrit BEQIRI, Drejtor i IEJL-ASHI, citoi Cambell et al (2014) “Rezilienca e një sistemi shëndetësor është kapaciteti i tij për t’u përgjigjur, përshtatur dhe për t’u forcuar kur ekspozohet ndaj një shoku të tillë si shpërthimi i një sëmundjeje, katastrofe natyrore apo konflikti”

Sa rezilient është sistemi shëndetësor i Kosovës? Përfundimet bazë të dala nga ky diskutim mund të përmblidhen si në vijim:

  • Infermierët dhe profesionistët tjerë nuk janë të përgatitur për kriza eventuale, që do kërkonte mobilizim të shpejtë të sistemeve që ofrojnë shërbime shëndetësore
  • Matja dhe përcjellja e kompetencave profesionale, duke përfshirë edhe ofertat e ndryshme për edukim të vazhdueshëm për infermierët janë domosdoshmëri për të krijuar sisteme shëndetësore të qëndrueshme, për të ndihmuar kështu profilizimin e infermierëve
  • Rritja e koeficientit për infermierët, që aktualisht nuk po zbatohet, lidhet nga ana tjetër me arritjen e gradave të ndryshme akademike nga profesionistët shëndetësorë

 

Për të pasur një sistem shëndetësor më rezilient duhet bashkëpunim i të gjitha institucioneve vendim-marrëse për fushën e shëndetësisë, duke përfshirë institucionet shëndetësore dhe arsimore të cilat përgatisin kuadro për ofrimin e shërbimeve shëndetësore. Koordinimi i këtyre institucioneve do mundësonte që profesionistët shëndetësorë të përgatiten dhe të fitojnë kompetenca, të cilat ndikojnë në ofrimin e shërbimeve shëndetësore profesionale dhe krijimin e sistemeve shëndetësore më reziliente.

Ministri i Ministrisë së Shëndetësisë z. Imet RRAHMANI e përgëzoi IEJL-ASHI dhe Kolegji Heiererimerer për këtë organizim të shkëlqyer, duke u ndier i nderuar që gjendet në mesin e profesionistëve shëndetësorë/Infermierëve për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Infermierisë, duke vlerësuar ata edhe në masë edhe në përmbajtje si profesionistë që ndajnë kohë më së shumti për pacientët. Ministri Rrahmani bëri me dije për avancimin e sistemit legjislativ për sistemin shëndetësor, duke vlerësuar lartë edhe kontributin e qeap-heimerer për ofrimin e profileve shëndetësore dhe edukimin e gjeneratave të reja në fushën e shëndetësisë, specifikisht në fushën e infermierisë. Po ashtu, Ministri Rrahmani theksoi rëndësinë e krijimit të odave të infermierëve dhe premtoi se brenda pak muajve kjo Odë do të pavarësohet dhe do marr kompetencat e plota për funksionimin e pavarur, duke uruar infermierët për Ditën e Infermierisë dhe duke uruar qeap-heimerer për organizimin dhe profesionalizmin.

Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë z. Arben VITIA uron për Ditën e Infermierisë të gjithë infermierët, duke shprehur edhe mbështetjen për studentët e Kolegji Heimerer për praktikat profesionale që realizohen në institucionet shëndetësore në komunën e Prishtinës. Dhe kështu, z.Vitia theksoi se përmes takimeve direkte me infermierët dhe profesionistët tjerë kanë vlerësuar gjendjen reale të funksionimit të sistemit të shëndetësisë në komunën e Prishtinës, dhe nga kjo janë krijuar politika për implementimin e projekteve dhe përmirësimin e sistemeve shëndetësore për t’i bërë funksionale në punën e përditshme. Z.Vitia theksoi se infermieria është shtylla kurrizore e mjekësisë dhe jo vetëm që Dita Ndërkombëtare e Infermierisë e meriton të shënohet, por edhe puna e infermierit bashkëkohorë e meriton të promovohet dhe të përkrahen

profesionistët shëndetësorë në avancimin e tyre si individ për të ndikuar në forcimin e sistemit shëndetësor. Sa i përket përgatitjes së sistemeve shëndetësore në raste të ndonjë krize a katastrofe, z.Vitia shprehet i pakënaqur ngase mungojnë edhe resurset minimale për informim; si shembull e përmendi që në Prishtinë është vetëm një qendër e mjekësisë që ka internet, mjeti pothuajse më i domosdoshëm për informim të shpejtë. As bashkëpunimi me institucionet qendrore nuk është në nivelin e duhur për shkak të kufizimeve që janë për numrin e punëtorëve dhe nuk ka vlerësim real të nevojave për punëtorë të profileve shëndetësore. Sa i përket vlerësimit të përformancës së punëtorëve shëndetësorë, z.Vitia shprehet se nuk ka mekanizma formal për ta realizuar këtë. Ai theksoi në mënyrë të veçantë nevojën për promovim dhe edukim shëndetësor duke përmendur disa raste të iniciativave të marra në këtë drejtim.

Kryetar i Odës së Infermierëve të Kosovës Z. Naser RRUSTEMI, duke theksuar rëndësinë e shënimit të kësaj dite, shprehu po ashtu se Oda e Infermierëve të Kosovës është në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e  Shëndetësisë për të krijuar një institucion të pavarur dhe se kanë marrë zotimin e ministrit se së shpejti ky institucion do të pavarësohet dhe pastaj do të jetë detyrë dhe përgjegjësi e tyre licencimi dhe rilicencimi i infermierëve, e po ashtu edhe profilizimi i tyre, duke krijuar kriteret formale që duhen arritur.

  1. Hysni BAJRAMI kryetar i Bordit të Licencimit të profesionistëve Shëndetësorë në MSH tha që infermieria është bazament dhe përbën 75% e punëtorëve shëndetësorë, Sfidë e vazhdueshme për Bordin e Licencimit është profilizimi pasi që kemi profile të reja, dhe në aspektin ligjor po krijojnë problem për shkak të mungesës së kritereve. Edhe z.Bajrami konfirmon kalimin e shpejtë të përgjegjësive tek Oda e Infermierëve të Kosovës. Sa i përket vlerësimit të performancës, ai pranon se vlerësimi është sipërfaqësorë dhe sa për të përmbushur kriteret ligjore, por jo edhe ato përmbajtësore. Ai po ashtu shprehë brengën që AKA nuk këshillohet me MSH për programet e reja që akreditohen dhe nevojën e tyre për tregun e Kosovës. Sa i përket edukimit të vazhdueshëm, ai mbështetë nevojën për edukim të vazhdueshëm dhe vlerëson se është e vetmja mënyrë e zhvillimit të sistemeve shëndetësore, dhe fton komunën e Prishtinës dhe komunat e tjera që të marrin përgjegjësinë që të mbështesin infermierët për edukimin e vazhdueshëm.

Z.Petrit BEQIRI, duke vlerësuar me rëndësi të veçantë tryezën për të diskutuar me akterët kryesorë që mund të ndikojnë në përmirësimin e reziliencës së sistemeve shëndetësore dhe sigurisë në punë, theksoi se me anë të këtyre takimeve synojmë të trajtojmë problemet e sistemit shëndetësor dhe gjithashtu jemi përpjekur t’i trajtojmë 6 shtyllat e reziliencës në rast të emergjencave dhe se duhet të bëhet më shumë për resurset humane që të avancohen e të profilizohen dhe të jenë të barabartë në ushtrimin e profesionit.

Gjatë tryezës u promovua edhe përkthimi i dytë në gjuhën shqipe i Doracakut të Këshillit Ndërkombëtarë të Infermierisë: “Infermierët: Forcë për Ndryshim- Përmirësimi i Reziliencës së Sistemeve Shëndetësore”,  që është edhe motoja globale e Ditës së Infermierisë 2016, që gjendet tashmë i publikuar në ueb-faqen e Kolegji Heimerer si dhe në ueb-faqen e Këshillit Ndërkombëtar të Infermierisë. Përkthimi u realizuar nga bashkëpunëtorët e Kolegji Heimerer: Dr. Sidita Vitoja, MSc Petrti Beqiri, MSc Naime Brajshori.

Ofrimi i shërbimeve në sheshin e Prishtinës

“Qytetarët e Prishtinës të cilët do të kalojnë nga sheshi “Zahir Pajaziti” do të kenë mundësinë që sot të kontrollohen pa pagesë për diabet, kolesterol, tension, të maten se sa peshojnë dhe sa janë të gjatë. Të gjitha këto kontrolle dhe këshilla në lidhje me shëndetin e tyre qytetarët po i marrin nga studentët e Qendrës Evropiane për Arsim Profesional “Kolegji Heimerer” në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Infermierisë.

Ky aktivitet, i cili është realizuar edhe më mbështetjen e Institutit të Evropës Juglindore, është mirëpritur nga qytetarët, të cilët janë shprehur të kënaqur me shërbimet dhe informatat që kanë marrë sot.” – kështu raportuan mediat lidhur me ofrimin e shërbimeve infermierore në Sheshin e Prishtinës, me 12 maj 2016 – Ditën Ndërkombëtare të Infermierisë.

A nuk është një arsye për t’u krenuar me studentët tanë, që po e marrim me shumë seriozitet si përgatitjen profesionale moderne të ofruar nga qeap-heimerer, ashtu edhe profesionin e infermierisë, profesion human në shërbim të të tjerëve.